A mund të përdoret ibuprofeni?

 

Prof. Ledjan Malaj

Shef i Departamentit të Farmacisë (UMT)

 

Në ditët e fundit ka patur shumë artikuj në gazeta dhe rrjete sociale që këshillojnë pacientët të mos përdorin ibuprofenin. Ky lajm ka krijuar konfuzion dhe pasiguri jo vetëm tek pacientët por edhe tek farmacistët e mjekët.

Si është e vërteta?

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) është shprehur me një dokument zyrtar Nr. EMA/136850/2020, më datë 18 Mars 2020 në lidhje me përdorimin e ibuprofenit në terapi.

Shprehimisht EMA thotë: “Nuk ka për momentin asnjë evidencë shkencore që të dëshmojë ndikimin e ibuprofenit në përkeqësimin e COVID-19”. EMA është duke monituar situatën nga afër dhe do të vërë menjëherë në dijeni nëse ka informacione të reja për këtë çështje në situatën e pandemisë.

Në fakt ibuprofeni është një ndër barnat e rekomanduar në Listën e Barnave Esenciale të OBSh-së (Botimi 21, 2019) dhe nuk ka asnjë raportim për heqjen e tij nga lista.

Në përfundim dhe në përputhje me udhëzuesit e përdorimit të barnave të vendeve të BE-së, pacientët dhe punonjësit e shëndetësisë mund të vazhdojnë të përdorin ibuprofenin për indikimet terapeutike të miratuara.