Koncepti mbi shëndetin, aktivitetin fizik e fitnesin Nga Prof. Dr. Përparim Ferunaj.

Shëndeti, në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e sëmundjeve, por mbi të gjitha shoqërohet me kapacitetin për të gëzuar jetën dhe përballimin e sfidave gjatë jetës.

Pyetja e parë që ne i bëjmë njëri-tjerit kur takohemi është “si je ” ose “ç’kemi” dhe në përgjithësi përgjigjia është “mirë”.

Por cili është në të vërtetë kuptimi i këtij dialogu të përditshëm?  Kjo pyetje në vëtvetë përmbledh edhe shumë pyetje të tjera të pabëra, përgjigja e të cilave nuk ka të bëjë vetëm me faktin e të qënit i sëmurë ose jo, por shumë më tepër. Në fakt, pyetja “si je” lidhet me mënyrën se si ndjehemi. A mundemi ne të jemi (ndjehemi) mirë, në se jemi pa punë, në se jemi të mërzitur, të stresuar, të dëshpëruar, të inatosur, pavarësisht se në trupin tonë nuk kemi praninë e sëmundjeve. Pyetje te tjera që zbulojnë gjëndjen e shëndetit mund të jenë “ keni femije”? A stërviteni rregullisht? A flini mirë? A keni kohë që të merreni me vehten? A keni një kafshë shtëpiake? Të gjitha këto kanë lidhje me shëndetin. Pse?

Shëndeti në dinamiken e tij përcaktohet si gjëndja në të cilën një individ ose grup është i aftë, në njërën anë, të kuptojë nevojat e frymëzimit dhe kënaqësisë, dhe në anën tjetër, të ndryshojë ose të përballet me ambjentin. Prandaj shëndeti shihet si burim për jetën e përditshme, dhe jo si objektiv për të jetuar; është një koncept pozitiv që thekson veçoritë personale e sociale, ashtu edhe aftësitë fizike”.

Shëndeti, në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e sëmundjeve, por mbi të gjitha shoqërohet me kapacitetin për të gëzuar jetën dhe përballimin e sfidave gjatë jetës.

Natyrisht që njerëzit që janë në formë fizike të mirë i kanë shanset më shumë se ata që janë pasivë për të shijuar jetën. Pavarësisht se këndvështrimi për të shijuar jetën mund të shihet ndryshëm nga njerëz të ndryshëm, njerëz që janë në formë mund të ndjehen më mirë me familjen e tyre se mund të shëtisin e luajnë me fëmijët, mund të ngjitjen në mal apo të shijojnë valët e detit në se janë në gjendje të ecin e notojnë. Mënyra se si ne e kalojmë kohën e lirë ka shumë rëndësi në shëndetin tonë. Sëmundjet kronike që zakonisht shfaqen pas të dyzetave si diabeti sëmundjet kardiake dhe tensioni i lartë i gjakut shkaktohen nga një stil jetese jo i shëndetshëm. Megjithatë, lajmi i mirë është se këto sëmundje janë të parandalueshme, madje edhe të korigjueshme në se ne do të ndjekim një stil jetese të shëndetshëm.

A është shëndeti prioritet tek ne?

Një arsye më shumë për vështirësinë që kanë njerëzit të ndryshojnë sjelljet e tyre në lidhje me shëndetin është se ruajtja e shëndetit nuk është vlera më e madhe që ka shoqëria e sotme. Ajo konkuron me shumë vlera të tjera si pasuria, pushteti, siguria, njohuritë dhe shtresat sociale. Vdekjet e parakohëshme ( moshat 50 – 60 vjeç), më së shumti mund të ndodhin si rrjedhojë e neglizhimit të shëndetit dhe mungesës së kontrollit. Natyrisht që askush nuk mund të parandalojë një vdekje aksidentale, por një vdekje nga infakti i miokardit ose hemorogjia cerebrale mund të parandalohet ose shtyhet në kohë.

Sëmundje të tilla si diabeti i itipit 2, që nga natyra e tyre zgjasin në kohë, por që shpesh shoqërohen edhe me komplikacione të tjera, si hipertension apo sëmundje të zemrës, mund të parandalohen ose minimizohen në se ka kujdes në mënyrën e të ushqyerit dhe aktivitetin fizik. Njerëzit shpesh i rrëmben rrjedha e jetës, preokupimet e përditshme famljare ose që kanë lidhje me punën që ata bëjnë, duke neglizhuar atë që ne kemi më të shtrenjtë, shëndetin.

Fig. 1. Aktiviteti fizik, Fitnesi dhe mirëqenia e shëndeti janë të varura nga shumë faktorë, ku stili I jetesës, ambienti dhe trashëgimia e karakteristikat personale janë disa.